Rezultatet ishin të ngatërruara me pacienten 83- vjeçare Altuna Sejdiun, e cila ka arritur në spital në të njëjtin moment me këngëtaren Altuna Sejdiu. Duhet ta imagjinoni se këngëtarja ka lënë spitalin pas disa orëve, e gjitha në depresion.
Nuk kishte mundësi të bëheshin analiza të tjera që të mund të zbulohet gabimi. “Tuna, je duke vdekur, ishte refreni me të cilin zgjohesha dhe shtrihesha në shtrat gati çdo natë, prej kur mjeku në Tiranë më tregoi diagnozën e rrejshme”, thekson këngëtarja.
Për shkak të frikës nga gripi i derrit shumë njerëz sapo kanë pak temperaturë menjëherë drejtohen në spital për kontrolle, kurse për shkak të gabimeve mjekësore ndodh që mos të ktheheni të gjallë!
Nuk thotë kot populli “Mos dhashtë Zoti të biesh në duar të mjekëve”. Dhe pikërisht në këtë thënie ka rënë pre edhe këngëtarja Tuna Sejdiu, e cila për rreth një javë ishte “viktimë” e një gabimi mjekësor dhe ka vendosur të tregojë të vërtetën. E gjithë ngjarja zhvillohet kështu. Kur këngëtarja u nis për në Tiranë, rrugës kishte pasur temperaturë të madhe, dhimbje të stomakut dhe të muskujve. Është munduar të mbajë veten gjatë rrugës, por pas mbërritjes në aeroport, gjatë kontrollit atje kanë konstatuar se ajo nuk mund të udhëtonte në këtë gjendje.
Tuna shpejt është dërguar në Qendrën Spitalore të Tiranës. Ekipi mjekësor menjëherë e ka dërguar të bëjë analiza të gjakut, urinës, fytit, hundës, veshëve si dhe një eho-rentgen, me një fjalë shumicën e analizave në përgjithësi. Pas një orë e gjysmë mbërritën edhe rezultatet e analizave, ekipi mjekësor futet në dhomën ku ka qëndruar këngëtarja dhe i tregojnë një lajm jo të këndshëm për atë, edhe pse në fund del që e gjitha ishte e pavërtetë.
Valon Zelati, mjeku i cili për rreth dhjetë ditë i ka nxirë jetën këngëtares, me një zë të ulët i tregon se ajo është e diagonstifikuar me kancer në zorrën e trashë, kancer i cili tashmë është në fazën metastazë (fazë kjo kur njeriu është para vdekjes). Në vërtetimin e analizave të datës 4 dhjetor 2009 shkruan: “Mendimi im është që pacienti të dërgohet në biopsi”, thuhet në vërtetimin e lëshuar dhe nënshkruar nga Dr. specialist Valon Zeljati).
Tuna dhe shoqet e saja me një lloj shakaje e kanë pranuar lajmin. Akoma më keq kur u tregon se kanceri nuk mund të operohet pasi është në fazën përfundimtare dhe këngëtares i kanë mbetur edhe tre nga gjashtë muaj jetë. Mjeku i ka spjeguar të gjithë procesin e mjekimit, duke i treguar se duhet të shkojë në trajtim të vazhdueshëm dhe mundësisht në një operacion të rëndë.
Ekipi mjekësor e ka këshilluar të jetë e qetë dhe të mos të kapet nga paniku, gjë që ishte e pamundur pasi këngëtarja tashmë ishte në gjendje “shoku” dhe të pabesueshme, pasi kanceri qetë dhe ngadalë për një kohë të shkurtër është përhapur dhe i ka shkurtuar jetën. Për shkak të shanseve minimale për shpëtim, pasi qetësohen dhimbjet e barkut dhe muskujve, ajo largohet nga spitali. Por, këtu edhe fillon lufta e saj, lufta për jetën.
Pas dy ditëve këngëtarja kthehet në shtëpinë e saj në Shkup. Ishte munduar të mbajë të fshehtë lajmin prej familjes së saj, duke i treguar vetëm vajzës së xhaxhait. Automatikisht largohet nga jeta publike dhe izolohet në katër mure të shtëpisë, duke mos dashur të vizitohet tek ndonjë klinikë tjetër, edhe pse ky ishte insistim i vajzës së xhaxhait.
Definitivisht, pas dhjetë ditësh të ngjarjes, këngëtarja vendos të shkojë në klinikën “Remedika”. Mjekët e Shkupit pas analizave të bëra, janë habitur shumë duke thënë se cili “idiot” paska mundur të konstatojë këtë diagnozë, pasi kësaj radhe merr të gjithë rezultatet pozitive, duke konstatuar se Tuna Sejdiu nuk është e sëmurë rëndë. Ajo përsëri viziton Tiranën dhe pikërisht mjekun Valon Zelatin, por këtë radhë së bashku me avokatin e saj.
Pasi i dorëzon të gjithë rezultatet e bëra në Shkup, ekipi mjekësor ka konstatuar se bëhet fjalë për ndonjë gabim pasi ditën që Tuna është shtruar në spital ka pasur shumë pacientë dhe është bërë gabim kur janë dhënë rezultatet dhe çka është më interesante në momentin që është pranuar këngëtarja Tuna Sejdiu, pikërisht në atë moment është pranuar edhe një pacient tjetër me të njëjtin emër. Dhe, si konstatim rezultatet janë ngatërruar me pacienten 83-vjeçare Altuna Sejdiu. Duke pasur parasysh se këngëtarja pas disa orëve ka lëshuar spitalin e shokuar nga lajmi i keq, me siguri nuk ka pasur mundësi të bëhen analiza të tjera që do mund të konstatonin gabimin.
Pikërisht për shkak të këtij gabimi, Tuna ka vendosur të padisë mjekun dhe spitalin, kurse të hollat e fituara nga ky rast do të shkojnë për qëllime humanitare. Pas dhjetë ditësh “shoku”, këngëtarja paraqitet në publik në promovimin e albumit të rep këngëtarit maqedonas Toni Zen dhe për gjithë ngjarjen komenton:
Kur më treguan lajmin isha në shok, me të vërtetë kisha dhimbje, nuk më besohej, por në një mënyrë e pranova situatën… E gjithë bota përmbyset mbi mua. U ktheva në Shkup dhe për fat të mirë vajza e xhaxhait më detyroi të vizitohesha përsëri. Ndoshta dhe unë do ta bëja të njëjtën gjë por pak më vonë. E kam fshehur nga të gjithë, isha nervoze dhe në depresion. Do bëj padi kundër spitalit sepse mendoj që më kanë shkurtuar jetën për disa vjet.
Ekipi mjekësor dhe spitali nuk mund të bëjnë këto lloj gabimesh dhe të japin informacione të gabuara, dhe çka është më tragjike, kur isha me avokatin tim në konsultime atje më thanë: “Po, por ky nuk është gabimi i parë që bëjmë”. Është pozitive pasi kuptova disa gjëra që ndoshta nuk i kam kuptuar asnjëherë dhe mendoja gjëra që nuk i kam menduar asnjëherë.
Jap fjalën se do të organizoj koncert humanitar dhe shumë të veçantë çdo vit dhe të gjitha të hollat e mbledhura do u jepen personave që vuajnë nga kanceri”, thekson Tuna e cila këto ditë udhëton për në SHBA, ku ka të aranzhuar disa koncerte dhe definitivisht vitin 2010 do ta presë e gjallë dhe me shëndet të mirë./PanoramaPlus/